Vijon përplasja në FB/ Dritan Hila: Stefani injorant, punonjës propagande. Andrea: Je i vogël

Aug 20, 2015 | 10:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas kritikave që ish-zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila bëri ndaj Andrea Stefanit për një shkrim që ky i fundit kishte bërë ndaj Dritëro Agollin, ka reaguar edhe analisti duke thënë se deklaratat e Hilës janë sharje ndaj tij. Në një koment të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Stefani shkruan se “vetë shkrimtari i madh ma mirëkuptoi kritikën, por Dritani i vogël jo”.

dritan hila
Dritan Hila

Ndërkaq, gjithçka nisi nga një intervistë e Agollit për gazetën “Shekulli” ku ai vlerësonte figurën e Sali Berishës si mjek dhe nuk ia falte faktin se ish kryeministri e la shëndetësinë në këtë gjendje.

Gjithçka nisi nga një intervistë e Agollit për gazetën “Shekulli” ku ai vlerësonte figurën e Sali Berishës si mjek dhe nuk ia falte faktin se ish kryeministri e la shëndetësinë në këtë gjendje.

“Për mua ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por edhe të autorëve të tjerë të asaj kohe, pa lexuar. Sa herë që e kam takuar, kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar. Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Edhe si mjek ka qenë i përkushtuar. Më është dhimbsur që e la profesionin e mjekut sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i përket politikës, ky është një kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është një politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal: Si mjek që ishte, duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit. Ndërsa lëshimi i stafetës ishte një hap i rëndësishëm për mua”, deklaroi Agolli.

Por kjo intervistë e shkrimtarit të njohur u pasua nga Andrea Stefani.

“Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci! Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi! Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit”, shkruan Stefani në gazetën “Dita”.

Replikat në Facebook

Dritan Hila:  Ne keta 25 vjet ju kemi lene pasardhesve një hiç trashegimi kulturore. Bën perjashtim gazetaria ku do ju leme Andrea Stefanin. Eshte ai qe sulmoi Dritero Agollin pse ky nuk i bashkohet korit te lehjeve ditore te politikes. Eshte shembulli me ekselent si injoranca ju sulet monumenteve me gure. Se Driteroi qe te jete i madh u dashka te plotesoje kriterin e vetem te Stefanit, qe eshte sharja e Berishes. O pika qe s’te bie. Keta nuk te lene as te vdesesh i qete”.

Andrea Stefani: Dritani sapo me ka share në facebook. Do më kish pëlqyer të më kish kritikuar dhe jo sharë. Sepse kjo më detyron të bëj analizën e sharjes duke zbuluar hiletë e saj. Pra, Dritani më ka sharë për një kritikë që i bëra para pak ditësh shkrimtarit të shquar Ditero Agolli në lidhje me një vlerësim për Sali Berishën si politikan. Vetë shkrimtari i madh ma mirëkuptoi kritikën. Por Dritani i vogël jo. Sepse paska një dashuri aq të madhe për monumentet, sa nuk përmbahet dot para një sakrilegji të tillë sikundër qënka kritika e një “monumenti”. Në fakt, shtiret kinse i vjen keq për Dritëroin. Kjo është hileja e parë tij. Sepse në të vërtetë, nuk mbron Dritëroin (që s’ka nevojë ta mbrojë Dritani) por Berishën.

Kritikën time, Dritani, e quan injoracë që gjuan me gurë një monument si Dritëroi. Një tjetër hile kjo që kalon nëpër disa faza. Së pari, njeriun e gjallë e shndërron në monument. Së dyti, kritikën e shndërron në gur. Së treti, nga ngatërrimi me hile i këtyre premisave, arrin në konkluzionin hileqar se është gjuajtur me gur një monument! Në fakt, po kritikohej një njeri, që sado i madh, edhe mund të gabojë. Sepse të gabosh është njerëzore, “errare humanum est”.

Volteri ka thënë: e urrej pikëpamjen tënde por do ta mbroj me jetën time të drejtën që ke për ta shprehur atë. Vetë poeti i madh u ngrit në lartësinë e këtij volterizmi kur pas kritikës u shpreh: Eshtë liria e gazetarit! Por sipas Dritanit, që e mban veten për një lloj gazetari, paska ca raste qe kritika qënka mëkat. Madje, akoma më keq, një krim që “s’të lë të vdesësh”. Por nuk është fare kështu. Kritika dhe cinizmi janë gjëra krejt të kundërta. Dhe po të kish prirjen për tu thelluar pak edhe Dritani do kuptonte se kritika ime për shkrimtarin e madh, nuk kërkonte poshtërimin e “monumentit” por mos zhyerjen e tij. Por, e përsëris, meraku për “monumentin”, është thjesht një hile, një lojë.

Problem i madh me disa njerëz qe hilet i shtyjne pa shpëtim drejt shtrembërimit të gjërave. Sepse nuk e kam kritikuar Agollin, sikundër me hile shkruan Dritani, pse nuk kritikon Berishën (gjë që në fakt Dritëroi e ka bërë ca kohë më pare, madje më fort se unë) por pse, në kontekstin e asaj interviste, e lëvdonte, në mendimin tim jo me meritë, atë. Shtrembëron, prapë me hile si dhe duke përvetësuar një akuzë që kanë vite që ma bëjnë fanatikët e Berishës, kur thotë se shaj Berishën. Në fakt, vetëm e kritikoj. Por berishistëve i duken kritikat si sharje nga dashuria fanatike që kanë për Berishën si për një monument. Dhe dashuria e fanatikëve për liderin mund të jetë veçse “monumentale”, e paluajtëshme, si ajo e Dritanit. Edhe ata mendojnë si Dritani që paska njerëz (në rastin e tyre Berisha) që është injorancë t’i kritikosh se kanë gjithmonë të drejtë. Si Duçja për shembull.

Ky është gjymtimi i fanatikëve dhe idhujtarëve të çdo ngjyre. Migjeni fliste për “idhuj pa krena”. Dritani kërcënon të mos preken “idhujt me krena”. Reagimi i Dritanit është fiks në një gjatësi vale jo vetëm me reagimet e fanatikeve të Berishes sa herë i gjuaj “me gure” “monumentit” te idhullit te tyre “me krena”, por edhe me sharjet që më lëshuan pikërisht sapo kritikova Agollin lidhur me vlerësimin për Berishën. Kam përshtypjen se nuk e ka nga që është fanatik i Dritëroit. Shtiret kinse i tillë. Dyshoj se kjo harmoni me berishistët i ka rrënjët në disa zhvillime të kohëve të fundit. Ndoshta me faktin se Dritani nuk është më zëvendësministër. Prandaj, më gjuan me gurë. Por objektivi është tjetërkund. Në kampin përballë Berishës. Gjithsesi i vjen më për mbarë të gjuaj me gurë një gazetar. Por sharja është si guri. Madje më e keqe. Siç thotë njê shprehje e vjetër: Gjuha eshtra ska po eshtra thyen. Dritani mendon se ka të drejtë të më gjuajë me gurë. Mesa duket nga që nuk jam një monument. Dritani respektoka vetëm monumentet. Se përsa i përket lirisë së kritikës, veti kjo e të gjallëve, shihet se nuk ka ndonjë rëndësi për Dritanin. Dhe nuk ka si të ketë. Ngase hileja nuk lyp të drejtë. Pra, as edhe liri. Sepse drejtësia dhe liria janë anë të së njëjtës medalje.

Dritan Hila: Në të freskëtin mëngjes, lëçita të hidhurin haber: Dreqi e mori, Andrea Stefani më zbuloi që jam agjent i Sali Berishës dhe më demaskoi.

Por tej ironisë dhe pa modesti në përgjigjë të tijit status-tërkuzë në fb, doja ti thoja se fyelli im gazetaresk ka më shumë melodi nga ai i Stefanit që i bie vetëm vrimës së Berishës; se kam kritikuar Berishën dhe politikat e tij atëhere kur ishte në pushtet, dhe nuk merrem tani që shfaqet vetëm në facebook, si shenjë racionaliteti; se në Shqipëri është histori e vjetër që mendimin ndryshe, punonjës propagande si Stefani kanë dashur gjithmonë ta zhvlerësojnë me skenarë agjenturash; se nuk di si ta klasifikoj: si të lig kur aludon ndaj gjesteve fisnike si ai i dorëheqjes, apo mendjeshkurter; dhe se e majta shqiptare më dhimset më shumë nga sa ju dhimbset shumë emrave që karron e saj e kanë marë me qera deri sa ti nxjerrin fundin.

Dhe e fundmja në radhitje por e para nga rëndësia, Agolli nuk e ka mirëkuptuar, por thjesht i ka hapur rrugë. Ka punë me historinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura